Hidrovori i Tushemishtit
Hidrovori i Tushemishtit përbën pikën kryesore të lidhjes ndërmjet impiantit të përpunimit të ujërave të zeza dhe Liqenit të Ohrit. Sipas projektit teknik, ujërat e ndotura që vijnë nga rrjeti i kanalizimeve urbane duhet të përpunohen në tre faza, procesin fizik, biologjik dhe kimik, me qëllim që në fund të jenë të pastra dhe të përshtatshme për t’u derdhur në liqen.
Në teori, pas kalimit të këtyre tre fazave, uji duhet të jetë i trajtuar plotësisht dhe pa elementë ndotës. Megjithatë, vëzhgimet e përsëritura të ekspertëve mjedisorë kanë treguar se në ujërat që dalin nga impianti përmes hidrovorit evidentohet nivel i lartë i fosforit, një tregues i qartë i ndotjes kimike.
Sipas tyre, kjo tregon se procesi i trajtimit nuk përmbyllet plotësisht, dhe se në disa raste uji është përpunuar vetëm në fazat fizike dhe biologjike, ndërsa fazën kimike e ka kaluar pa u zbatuar siç duhet.
Ky fenomen është cilësuar nga organizatat mjedisore dhe ekspertët e fushës si një burim i vazhdueshëm ndotjeje për Liqenin e Ohrit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së ujit dhe të ekosistemit të tij të ndjeshëm.





