Lumi i Starovës
Lumi i Starovës është një nga tre lumenjtë kryesor të cilët kalojnë mes zonave të banuara dhe që derdhen në Liqenin e Ohrit, në pjesën Shqiptare. Gjatë pjesës më të madhe të vitit, lumi është i thatë për shkak të mungesës së reshjeve, por në stinët e lagështa ai rikthehet me prurje të konsiderueshme uji, të cilat përveç rrjedhës natyrore, sjellin edhe sasi të mëdha mbetjesh përgjatë shtratit të tij.
Këto mbetje, kryesisht urbane dhe plastike, përfundojnë në liqen pasi përgjatë lumit mungojnë rrjetat mbajtëse dhe pritëset që do të ndalonin derdhjen e tyre. Përveç ndotjes vizuale dhe mjedisore, në disa segmente të lumit, veçanërisht gjatë verës, është vënë re prani e erërave të rënda, që tregojnë grumbullimin e mbetjeve dhe mungesën e pastrimit periodik. Kjo situatë e kthen lumin e Starovës në një burim potencial ndotjeje për Liqenin e Ohrit, duke ndikuar negativisht në ekuilibrin ekologjik të tij dhe në mjedisin përreth.





