Çfarë është dampa minerare
Zona e Gurit të Kuq në Pogradec njihet si një ndër vendet ku janë shfrytëzuar miniera për nxjerrjen e hekurit, nikelit dhe kromit përpara viteve ’90. Pas mbylljes së aktivitetit, në territorin përreth, veçanërisht në fshatin Hudënisht, janë lënë sasi të mëdha mbetjesh minerare të grumbulluara në të ashtuquajturat dampa minerare, të cilat shërbenin si vende depozitimi provizore ose të përhershme të mbetjeve të nxjerra nga nëntoka.
Këto dampa përbëjnë sot një rrezik serioz mjedisor, pasi ndodhen shumë pranë brigjeve të liqenit të Ohrit. Në periudha reshjesh, mbetjet minerare shpërndahen drejt ujërave, duke sjellë me vete grimca metalesh të rënda që përfundojnë në ekosistemin ujor. Peshqit, të cilët ushqehen në këtë mjedis të ndotur, i grumbullojnë këto substanca në trupin e tyre, dhe përmes zinxhirit ushqimor, metalet e rënda përfundojnë në organizmin e njeriut.
Misionet reaktive të UNESCO-s, në raportet e tyre të fundit për gjendjen e trashëgimisë natyrore të liqenit të Ohrit, kanë evidentuar problemin e dampave minerare në Udënisht dhe Memelisht, duke kërkuar nga autoritetet vendase që të ndërhyjnë për largimin e tyre. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i plotë për pastrimin e zonës.
Sipas të dhënave teknike, nga zona e Gurit të Kuq deri në Memelisht ndodhen disa dampa me rreth 125 mijë ton hekur, mbi 2 200 ton nikel dhe afro 10 mijë ton krom, të cilat mbeten të paadminstruara dhe përbëjnë një trashëgimi të rrezikshme industriale për mjedisin dhe shëndetin publik.





