Lumi i Verdovës është një nga ndotësit kryesorë të Liqenit të Ohrit në qytetin e Pogradecit. Gjatë muajve të verës, në pjesën e grykëderdhjes së lumit në liqen, analizat laboratorike kanë treguar prani të lartë të bakterieve, që e bëjnë këtë segment një ndër pikat më problematike për cilësinë e ujërave liqenore.Përveç ndotjes bakteriale, lumi nuk disponon rrjeta pritëse për ndalimin e materialeve plastike dhe mbetjeve të ngurta, të cilat përfundojnë direkt në ujërat e liqenit, duke ndikuar në ndotjen fizike dhe estetike të tij.Lumi i Verdovës kalon përgjatë Lagjes nr. 1 të qytetit të Pogradecit, ku janë raportuar edhe raste të derdhjes së ujërave të zeza nga abonentë familjarë në shtratin e tij. Ky fenomen përbën një rrezik të vazhdueshëm mjedisor dhe shëndetësor, duke ndikuar negativisht në ekosistemin e liqenit dhe në cilësinë e jetës së banorëve përreth.