Në qytetin e Pogradecit është zhvilluar trajnimi me temë “Një reporter i natyrës: hulumtimi dhe raportimi i problematikave mjedisore në komunitet”, një nismë që synon të fuqizojë të rinjtë për t’u bërë zëri i mjedisit në komunitetin e tyre.
Në këtë trajnim morën pjesë 34 të rinj të qytetit, ndërsa 25 prej tyre u angazhuan konkretisht për të realizuar hulumtime dhe raportime mbi tema mjedisore që prekin drejtpërdrejt Pogradecin dhe zonat përreth.
Trajnimi u udhëhoq nga Dr. Dorian Leka, pedagog, i cili përmes diskutimeve interaktive, ushtrimeve praktike dhe shembujve konkretë, ndau me pjesëmarrësit njohuri mbi mënyrat e raportimit mjedisor, rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe ndikimin e gazetarisë hulumtuese në mbrojtjen e mjedisit.
Aktiviteti u zhvillua më 8 nëntor 2025, në kuadër të projektit #Youth4CleanAir & Child Friendly NDCs, që zbatohet nga Qendra EDEN me mbështetjen e UNICEF Albania dhe financim nga Ambasada Suedeze, nën koordinimin e grupit lokal “Pogradeci ProMjedis”.
Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm në nxitjen e gazetarisë së përgjegjshme mjedisore në Pogradec, duke forcuar rolin e rinisë si aktorë të ndryshimit dhe mbrojtës të natyrës së qytetit liqenor.
