Rajoni juglindor i Shqipërisë, përballë dimrave të ashpër dhe alternativave të kufizuara energjetike, vijon të mbështetet kryesisht te drutë e zjarrit për ngrohje. Një pjesë e konsiderueshme e lëndës drusore sigurohet nga zonat pyjore përreth Pogradecit, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi sipërfaqet pyjore dhe duke kontribuar në ndotjen e ajrit.
Sipas një raporti të Organizatës Mjedisore EDEN (2021), 4 në 5 familje në qarkun e Korçës ngrohen me dru zjarri, çka përkthehet në një nivel të lartë të emetimeve të karbonit në atmosferë. Ky ndotje bëhet veçanërisht e ndjeshme gjatë orëve të mbrëmjes, kur era e tymit përhapet në zonat e banuara dhe dukshmëria në ajër bie ndjeshëm.
Autoritetet kanë diskutuar në mënyrë të përsëritur gasifikimin e qyteteve të juglindjes si një zgjidhje afatgjatë për reduktimin e ndotjes nga ngrohja dhe për uljen e varësisë nga drutë e zjarrit. Megjithatë, deri më tani, këto diskutime nuk janë shoqëruar me masa konkrete në terren.
Përveç ngrohjes me dru, një tjetër burim i rëndësishëm ndotjeje mbetet flota e automjeteve të vjetra, ku një pjesë e madhe e mjeteve në qarkullim janë mbi 20 vjeç. Këto automjete kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen urbane, veçanërisht në zonat e banuara.
Pogradeci konsiderohet ndër zonat me nivel të lartë të ndotjes së ajrit, kryesisht për shkak të përdorimit të druve për ngrohje. Banorët raportojnë se një familje konsumon mesatarisht 6–7 metra kub dru zjarri në vit. Sipas Censusit të fundit të Popullsisë, në rrethin e Pogradecit jetojnë 15,817 familje, çka nënkupton një nevojë vjetore prej rreth 79,000 metra kub dru zjarri.
Ngrohja zakonisht kufizohet vetëm në një ambient të banesës. Një banor i fshatit Buçimas shpjegon se përdorimi i druve është i diktuar nga pamundësia ekonomike për alternativa të tjera.
“Përdorim dru për ngrohje sepse është mënyra më e përballueshme ekonomikisht. Energjinë elektrike nuk kemi mundësi ta paguajmë nëse ndezim kondicionerin gjithë dimrin. Konsumi është rreth 6–7 metra kub në vit dhe zakonisht ngrohim vetëm dhomën e ndenjjes. Pothuajse të gjithë në lagje përdorin dru,” thotë ai.

Pasojat e ndotjes reflektohen drejtpërdrejt te shëndeti i banorëve, veçanërisht te të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Një banor i periferisë së qytetit të Pogradecit tregon se situata përkeqësohet çdo vit gjatë sezonit të ftohtë.
“Në mbrëmje bëhet pothuajse e padurueshme. Nga ora 18:00 deri në 22:00, kur të gjithë ndezin sobat, tymi është shumë i dendur. Mbyllim dritaret jo për të ruajtur ngrohtësinë, por për të mos futur tym brenda. Një fqinj imi ka astmë dhe këtë vit gjendja i është përkeqësuar. Çdo vit duket se situata rëndohet,” shprehet ai.

Edhe pse ekziston ndërgjegjësimi për ndotjen e shkaktuar nga automjetet e vjetra, shumë banorë thonë se nuk kanë mundësi ekonomike për t’i zëvendësuar ato. Një pronar i një automjeti mbi 20 vjeç thekson se zgjedhja nuk është çështje vullneti, por mbijetese ekonomike.
“Makina që kam është e vetmja që përballoj. E di që ndot, por nuk kam mundësi të blej një tjetër. Taksat janë më të larta se për makinat e reja dhe alternativë reale nuk kemi. Nëse do të kishim mundësi, do ta ndërronim menjëherë,” shprehet ai për Pogradeci ProMjedis.

Ndotja e ajrit në rajonin juglindor është tashmë një realitet i prekshëm, që kërkon zgjidhje afatgjata dhe ndërhyrje strukturore. Ekspertët dhe banorët bien dakord se pa politika të qarta subvencionimi dhe kompensimi, si për zëvendësimin e automjeteve të vjetra, ashtu edhe për nxitjen e burimeve më pak ndotëse të ngrohjes dhe energjisë, barra e ndotjes do të vijojë të bjerë mbi qytetarët, ndërsa pasojat në mjedis dhe shëndet do të thellohen.
Ndërkaq, një grup aktivistësh të Pogradeci ProMjedis, në kuadër të projektit #Youth4CleanAir & Child Friendly NDCs, që zbatohet nga Qendra EDEN me mbështetjen e UNICEF Albania dhe financim nga Ambasada Suedeze, kanë depozituar në Bashkinë e Pogradecit një letër pozicionimi, përmes së cilës i kanë kërkuar pushtetit vendor hartimin e një Plani Vendor për Cilësinë e Ajrit dhe ngritjen e një stacioni për matjen e cilësisë së ajrit, detyrime këto ligjore për pushtetin vendor. Nisma e propozuar ka marrë garancinë se do të zbatohet, ndërsa tashmë pritet angazhimi konkret i institucioneve lokale deri në realizimin e saj.
