Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë të Evropës, i ndarë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me një rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike, kulturore dhe turistike. Pjesa shqiptare e liqenit shtrihet pranë qytetit të Pogradecit, duke e bërë këtë zonë një pikë kyçe të ndërveprimit mes natyrës dhe zhvillimit urban. Megjithatë, vitet e fundit, ndotja nga plastika dhe mbetjet urbane është shndërruar në një nga problemet kryesore që kërcënon ekosistemin e liqenit. Plastika dhe mbetjet urbane, të cilat shpesh hidhen pa kriter pranë lumenjve të Pogradecit, gjatë periudhave me reshje përfundojnë në liqen, ndërsa pas stuhive brigjet e Liqenit të Ohrit mbushen me sasi të mëdha mbetjesh plastike.
Ndotja e liqenit nuk është më një episod i rastësishëm, por një proces i përditshëm që ushqehet nga neglizhenca dhe mungesa e zgjidhjeve afatgjata. Një pjesë e mbetjeve urbane të patrajtuara të qytetit të Pogradecit dhe fshatrave përreth përfundojnë në kanalet kulluese, të cilat, pa asnjë filtër apo trajtim, derdhen drejtpërdrejt në liqen. Këto kanale janë kthyer në rrugë të padukshme ndotjeje, ku mbeturinat zhvendosen nga toka në ujë, duke e bërë liqenin destinacionin final të papërgjegjshmërisë urbane.


Gjatë sezonit turistik, kjo ndotje bëhet edhe më e dukshme. Shishe plastike, qese, ambalazhe ushqimore dhe mbetje të tjera të hedhura nga turistë apo banorë lokalë grumbullohen përgjatë vijës bregliqenore ose përfundojnë në ujë. Plastika, e qëndrueshme dhe e ngadaltë në degradim, mbetet për vite të tëra në ekosistem, duke dëmtuar jetën ujore dhe duke ndryshuar pamjen natyrore të një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të rajonit.
Situata rëndohet nga mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve. Në disa zona mungojnë koshat e mbeturinave, sistemi i riciklimit është thuajse inekzistent, ndërsa grumbullimi i rregullt i mbetjeve nuk mbulon të gjithë territorin. Si pasojë, mbeturinat shpesh hidhen në mënyrë të pakontrolluar, duke u zhvendosur gradualisht drejt liqenit, veçanërisht gjatë reshjeve ose erërave të forta.

Për ekspertin mjedisor Gani Bego, situata e ndotjes nga plastika, veçanërisht përgjatë brigjeve të Liqenit të Ohrit, e shkaktuar kryesisht nga papërgjegjshmëria qytetare, është një problem që kërkon vëmendje të veçantë. Sipas tij, përrenjtë dhe lumenjtë shndërrohen në pikat kryesore të shpërndarjes së mbetjeve të hedhura pa kriter, duke i transportuar ato drejt liqenit.
“Sigurisht, plastika është një problem jo vetëm për Pogradecin po për të gjithë Shqipërinë pasi gjithë lumenjtë dhe perrenjtë e Shqipërisë janë të ndotur nga plastika ku i derdhin në liqeni apo dete. Ndotësit kryesor janë njerëzit dhe bizneset pasi janë të papërgjeqshëm dhe akoma hedhin mbetjet jashtë koshave të plehrave,” theksoi Bego.
Plastika është e pranishme në bregun e liqenit, veçanërisht pas stuhive, kur rritja e prurjeve në lumenj dhe përrenj sjell me vete mbetje urbane të hedhura pa kriter. Sipas ekspertit Gani Bego, ndërgjegjësimi i qytetarëve mbetet mënyra kryesore për të frenuar këtë ndotje.

“Duke ardhur këtu vura re se i gjithë bregliqeni ishte i ndotur nga plastika dhe jo vetëm dhe vijnë kryesisht nga përrenjt që janë ndotësit kryesor tek Liqeni i Ohrit.
Një nga zgjidhjet e ndotjes është ndërgjegjësimi me brezin e ri në mënyrë që Shqipëria të mos ta këtë problem në vazhdim.” tha Bego për Pogradeci Promjedis.
Situata e hedhjes pa kriter të mbetjeve urbane vihet re edhe nga nxënësit e shkollave, të cilët konstatojnë lehtësisht nivelin e ndotjes. Ata shprehen se duhet të merren masa administrative ndaj atyre që ndotin mjedisin me mbetje plastike, si një mënyrë për të krijuar precedent dhe për të frenuar këtë fenomen negativ.
“Ndotja vjen nga bizneset dhe njerëzit që i hedhin mbeturinat vend e pa vend. Ndarja e plastikës të bëhet që në shtëpi me kosha të caktuar dhe kush hedh plastikë vend e pa vend të gjobitet. Përrenjtë që derdhen në liqen, të cilët janë të ndotur nga plastika nga njerëz të papërgjegjshëm, dhe kur derdhen në liqen kthehen në ndotësit kryesor,” tha nxënësja Fjoralda Shkira.
Nxënësit sugjerojnë gjithashtu ngritjen e nismave për riciklim dhe informimin e qytetarëve mbi pasojat e ndotjes, duke i konsideruar këto masa të domosdoshme për parandalimin e ndotjes masive nga mbetjet urbane, veçanërisht ato plastike.
“Ndërgjegjësimi i popullatës dhe bizneseve që të mos i hedhin plastikat kudo, por t’i riciklojnë ato dhe takime me institucionet përkatëse ku të merren masa,” theksoi Shkira.

Qytetari Bujar Leka thekson se fillimisht, bashkia duhet të vendosë kosha të ndarë për plastikën veç qelqin veç etj…, dhe qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që ti hedhin mbeturinat në kosh dhe në vendin e caktuar. Njerëzit e papërgjeqshëm duhen gjobitar në mënryë që të parandalohet ndotja e madhe e mjedisit.
Një ndër burimet më problematike të ndotjes mbeten ujërat e ndotura të patrajtuara. Ujërat e zeza të Njësisë Administrative Udënisht vazhdojnë të derdhen në liqen, duke kontribuar në ndotjen organike dhe procesin e eutrofikimit. Ky proces prish ekuilibrin natyror të liqenit, ul cilësinë e ujit dhe e bën atë gjithnjë e më pak të përshtatshëm për jetën ujore dhe për përdorim rekreativ. Në vend që liqeni të trajtohet si një ekosistem i gjallë që kërkon mbrojtje dhe menaxhim të qëndrueshëm, ai vazhdon të shërbejë si një dalje e heshtur për ndotjen urbane dhe institucionale.
