Ndikimi mjedisor nga aktivitetet ekonomike që operojnë në territorin e Pogradecit mbetet i lartë dhe me pasoja afatgjata për zonën. Sektori i ndërtimit, industria e mesme, rezervatet e shtimit artificial të peshkut, aktivitetet minerare dhe guroret janë ndër burimet kryesore të presionit mbi mjedisin lokal.

Edhe pse në zonë nuk funksionojnë impiante të mëdha industriale me oxhaqe emetuese, dëmtimi i mjedisit manifestohet në forma më pak të dukshme, por me efekte të qëndrueshme në kohë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve.

Raportet reaktive të monitorimit të UNESCO-s kanë evidentuar praninë e dampave minerare në disa zona pranë Liqenit të Ohrit, përfshirë gjurmë të metaleve të rënda. Paralelisht, numri i konsiderueshëm i guroreve aktive ose të braktisura në territorin e Pogradecit ka sjellë degradim të peizazhit, rritje të rrezikut të erozionit, ndotje të ajrit nga pluhuri, ulje të sipërfaqeve të pyllëzuara dhe ndotje akustike.

Në Pogradec dhe fshatrat përreth, ndër vite kanë funksionuar disa gurore për nxjerrjen e gurit dhe inerteve për ndërtim, kryesisht në zona si lagjja Kabashi, Çërrava, Zagorçani dhe pranë Lumit të Tërhanit. Këto aktivitete kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal, por mungon ende një bilanc zyrtar mbi dëmet mjedisore të shkaktuara.

Një banor i Pogradecit tregon se ndikimi i gurores ka qenë i ndjeshëm për komunitetin përreth. Sipas tij, pluhuri ka mbuluar tokën dhe bimësinë, ndërsa zhurma e makinerive ka krijuar shqetësim të vazhdueshëm për banorët.

“Gjatë stinës së shirave, lumi pranë bëhej i turbullt nga materialet e gurores dhe uji me baltë përfundonte në parcelat bujqësore,” shprehet ai, duke shtuar se fëmijët nuk mund të luanin pranë zonës kur makineritë ishin në punë, veçanërisht gjatë verës, kur era përhapte pluhurin në gjithë lagjen.

Banorët theksojnë se kontrollet institucionale janë sporadike dhe pa efekt të dukshëm. “Inspektorët vijnë herë pas here, por nuk qëndrojnë gjatë. Ne ndihemi të braktisur nga institucionet,” shprehet banori, duke shtuar se aktiviteti i guroreve është ulur vitet e fundit, por mbetjet inerte vazhdojnë të jenë problem, veçanërisht në zona si Zagorçani.

Përtej guroreve, një tjetër problem i pazgjidhur mbetet mungesa e një venddepozitimi të dedikuar për mbetjet inerte. Pushteti vendor është ende në kërkim të një hapësire të përshtatshme, në një kohë kur Pogradeci po përballet me një rritje të ndjeshme të kërkesave dhe planifikimeve për aktiviteteve ndërtimore në të gjithë territorin urban.

Pasojat kryesore të këtyre aktiviteteve lidhen me ndotjen e ajrit nga pluhuri, ndotjen e ujërave gjatë reshjeve dhe dëmtimin e tokave bujqësore përreth. Banorët raportojnë ndikim negativ në kulturat bujqësore dhe bimësinë, ndërsa zhurma e vazhdueshme e makinerive ka cenuar qetësinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.

Ndërkohë, masat konkrete për rehabilitimin e zonave të dëmtuara dhe kontrollin efektiv të aktiviteteve ndotëse mbeten të kufizuara. Mjedisi vijon të jetë një nga sektorët me vëmendjen më të ulët institucionale, si në investime, ashtu edhe në ndërhyrje mbrojtëse afatgjata.