Në dekadat e fundit, zhvillimi urban dhe ndërtimet pranë liqeneve janë intensifikuar ndjeshëm, duke kthyer zonat bregliqenore në pika presioni mes interesave ekonomike, mjedisit dhe planifikimit urban. Liqenet nuk përfaqësojnë vetëm burim uji apo potencial turistik, por janë pjesë e një ekosistemi të ndërlikuar natyror dhe një element thelbësor i identitetit peizazhor të qyteteve që i rrethojnë.
Në Pogradec, kjo përplasje ka marrë formë konkrete me diskutimet mbi ndërtimin e kullave shumëkatëshe në zonën e ish-parkut të qytetit, e njohur ndryshe si zona e “Oktapodit” dhe “Turizmit të vjetër”, një hapësirë pranë vijës liqenore që prej vitesh konsiderohet ndër më të ndjeshmet për zhvillimin urban. Kritikët paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla rrezikojnë të ndryshojnë në mënyrë të pakthyeshme peizazhin, të zvogëlojnë hapësirat publike dhe të cenojnë karakterin historik e natyror të qytetit.

Diskutimi publik për herë të parë mbi ndërtimin e kullave në këtë zonë u bë i njohur më 9 dhjetor 2023, kur media lokale Pogradeci Press publikoi një projekt të kompanisë “Arlis Ndërtim” për ndërtimin e një kompleksi banimi shumëkatësh. Që prej asaj kohe, çështja është shndërruar në një nga temat më të debatuara në qytet, duke ndarë opinionin publik mes atyre që e shohin projektin si zhvillim urban dhe atyre që e konsiderojnë si një hap drejt betonizimit të pakontrolluar.

Debati u intensifikua më tej për shkak të pretendimeve se zona në fjalë, sipas planit urbanistik të Pogradeci të miratuar në vitin 2015, është e ndaluar për ndërtime të tilla. Investigime dhe reagime të ndryshme kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin urbanistik dhe mjedisor të projektit, veçanërisht për një hapësirë që konsiderohet simbol i qytetit dhe pjesë e peizazhit të liqenit të Ohrit, i njohur për vlerat e tij natyrore.

Eksperti i mjedisit dhe aktivisti Armand Agolli është shprehur se zhvillimi i qytetit është i domosdoshëm, por duhet të ndjekë kritere të qarta dhe të respektojë standardet që mbrojnë peizazhin dhe trashëgiminë natyrore. Sipas tij, ndërtimet e larta në këtë zonë nuk i shërbejnë interesit publik dhe përbëjnë rrezik për balancën mjedisore të qytetit.
“Ndërtimet tek Ish-Turizmi i vjetër jo vetëm që cënon çdo element të natyrës Pogradecit, por njëkohësisht nuk sjell ndonjë përfitim për pogradecarët dhe turistët, të cilët joshen nga ky qytet dhe nga natyra e tij. Nga ana tjetër, ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe rrezikon edhe humbjen e statusit nga UNESCO. Në fakt, Pogradeci nuk është pronë e askujt, ai është pronë e të gjithë pogradecarëve dhe shqiptarëve. Unë nuk jam kundër zhvillimit apo ndërtimit praktikisht, por për zona sensitive me ndikim direkt në peizazhin e qytetit, traditën dhe historinë e tij, do të shpresoja shumë që të kishte reflektim nga çdo aktor vendimmarrës dhe të rishikohej ky projekt,” u shpreh Agolli.
Sipas tij, urbanizimi i shpejtë dhe ndërtimet pa kriter po krijojnë gjithnjë e më pak hapësira të gjelbra dhe po rrisin presionin mbi mjedisin. Ekspertët paralajmërojnë se zonat përreth liqeneve janë pjesë e një ekosistemi të zgjeruar dhe se ndërhyrjet e pakontrolluara ndikojnë jo vetëm në biodiversitet, por edhe në stabilitetin e brigjeve, duke rritur rrezikun e erozionit dhe përmbytjeve, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve klimatike.
“Pogradeci, qyteti i luleve, ky emër i ngjizur prej dekadash nga natyra dhe bukuritë e tij, sot rrezikon të kthehet në qytet të ‘lungo betonit’. Ndërtimet dhe mos harmonizimi i tyre me natyrën e qetë dhe peizazhin e qytetit rrezikojnë që këtë perlë të natyrës ta kthejnë, si shumë qytete të tjera, në një katrahurë urbane. Si qytetar i Pogradecit, por edhe si specialist mjedisi, shpreh shqetësimin tim për cënimin e sipërfaqeve të gjelbra, zvogëlimin e aksesit qytetar mbi hapësirat publike dhe humbjen e vlerave natyrore, turistike e rekreative,” shton Agolli.
Në kulmin e debatit, ndërsa një pjesë e qytetarëve, intelektualëve dhe arkitektëve shprehin hapur kundërshtimin ndaj betonizimit të qytetit, thirrjet për reagim qytetar janë shtuar. Agolli e sheh angazhimin publik si të domosdoshëm për mbrojtjen e qytetit dhe të së ardhmes së tij.
“Prandaj thirrja ime shkon për qytetarët: mbroni qytetin tuaj, mbroni të ardhmen e fëmijëve tuaj, qetësinë e gjyshërve tuaj,” thotë ai.
Përtej debatit lokal, çështja e ndërtimeve pranë liqeneve ngre pyetje më të gjera mbi planifikimin urban, respektimin e ligjeve mjedisore dhe rolin e institucioneve në mbrojtjen e hapësirave publike. Pa një qasje të kujdesshme dhe transparente, kritikët paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë mund të vijë me kosto të pakthyeshme për mjedisin, identitetin e qytetit dhe statusin e UNESCO-s.
